263. Predikimi i parë i Pjetrit për të dëshmuar Jezusin si Krishtin (Acts 2:14-36)

Acts 2:14 Por Pjetri u çua në këmbë bashkë me të njëmbëdhjetët dhe u foli atyre me zë të lartë: Judenj dhe ju të gjithë që banoni në Jeruzalem, merrni njoftim për këtë dhe dëgjoni me vëmendje fjalët e mia.
Acts 2:15 Këta nuk janë të dehur, siç po mendoni ju, sepse është vetëm ora e tretë e ditës.
Acts 2:16 Por kjo është ajo që ishte thënë nëpërmjet profetit Joel:
Acts 2:17 “Dhe në ditët e fundit do të ndodhë, thotë Perëndia, që unë do të përhap nga Fryma ime mbi çdo mish; dhe bijtë tuaj e bijat tuaja do të profetizojnë, të rinjtë tuaj do të shohin vegime dhe të moshuarit tuaj do të shohin ëndrra.
Acts 2:18 Në ato ditë do të përhap nga Fryma im mbi shërbëtorët e mi dhe mbi shërbëtoret e mia, dhe do të profetizojnë.
Acts 2:19 Dhe do të bëj mrekulli lart në qiell dhe shenja poshtë mbi tokë: gjak, zjarr e avull tymi.
Acts 2:20 Dielli do të kthehet në errësirë dhe hëna në gjak, para se të vijë dita e madhe dhe e lavdishme e Zotit.
Acts 2:21 Dhe do të ndodhë që kush ta ketë thirrur emrin e Zotit, do të shpëtohet”.
Acts 2:22 Burra të Izraelit, dëgjoni këto fjalë: Jezusi Nazareas, njeriu i dëftuar nga Perëndia ndër ju me vepra të fuqishme, me mrekulli dhe shenja që Perëndia bëri ndër ju me anë të ti tij, siç edhe vet e dini,
Acts 2:23 ai, pra, sipas këshillit të caktuar dhe të paranjohur të Perëndisë, ju dorëzua juve dhe ju e zutë dhe, me duart e të padrejtëve, e gozhduat në kryq dhe e vratë.
Acts 2:24 Por Perëndia e ka ringjallur, pasi e zgjidhi nga ankthet e vdekjes, sepse nuk ishte e mundur që vdekja ta mbante atë.
Acts 2:25 Në fakt Davidi thotë për të: “E pata vazhdimisht Zotin para meje, sepse ai është në të djathtën time, që unë të mos hiqem.
Acts 2:26 Për këtë u gëzua zemra ime dhe ngazëlloi gjuha ime, dhe edhe mishi im do të qëndrojë në shpresë.
Acts 2:27 Sepse ti nuk do ta lësh shpirtin tim në Hades dhe nuk do të lejosh që i Shenjti yt të shohë kalbjen.
Acts 2:28 Ti më ke bërë të njoh udhët e jetës, ti do të më mbushësh me gëzim në praninë tënde”.
Acts 2:29 Vëllezër, mund të thuhet haptas për Davidin patriark që ai vdiq dhe u varros; dhe varri i tij është ndër ne deri ditën e sotme.
Acts 2:30 Ai, pra, duke qenë profet, e dinte se Perëndia i kishte premtuar me betim se nga fryti i belit të tij, sipas mishit, do të ngjallet Krishti për tu ulur mbi fronin e tij;
Acts 2:31 dhe, duke parashikuar këtë, foli për ringjalljen e Krishtit, duke thënë se shpirti i tij nuk do të lihej në Hades dhe se mishi i tij nuk do të shihte kalbjen.
Acts 2:32 Këtë Jezus, Perëndia e ka ringjallur; dhe për këtë të gjithë ne jemi dëshmitarë!
Acts 2:33 Ai, pra, duke qenë i ngritur në të djathtë të Perëndisë dhe duke marrë nga Ati premtimin e Frymës së Shenjtë, ka përhapur atë që ju tani shihni dhe dëgjoni.
Acts 2:34 Sepse Davidi nuk është ngritur në qiell, madje ai vetë thotë: “Zoti i ka thënë Zotit tim: Ulu në të djathtën time,
Acts 2:35 derisa unë ti vë armiqtë e tu si stol të këmbëve të tua!”.
Acts 2:36 Ta dijë, pra, me siguri, gjithë shtëpia e Izraelit se atë Jezus që ju e keni kryqëzuar, Perëndia e ka bërë Zot e Krisht

Duke cituar Testamentin e Vjetër, Pjetri dëshmoi se Krishti i profetizuar në Testamentin e Vjetër ishte Jezusi.